Art për Demokraci
August 5, 2024

Projekti Art për Demokraci ka lindur prej nevojës së zhvillimit të demokracisë në vend. Fenomeni i korrupsionit i cili qëndron në rritje gjatë tre dekadave me radhë; fenomeni i transparencës së cunguar ndërinstitucionale, i manipulimit të votës dhe zgjedhësve, i mungesës së forcave të reja politike të cilat veprojnë brenda vlerave dhe praktikave demokratike, dhe mungesa e protestave qytetare tregojnë se Shqipëria nuk ka arritur ende nivelin e qëndrueshëm të një shteti demokratik.

Ndërkohë që vendi ynë po tregon vazhdimisht se ndërtimi i një shteti demokratik dhe të barabartë për të gjithë është ende i largët, qytetarët duhet rrisin pjesëmarrjen aktive në jetën dhe organizimin e strukturave vendore. Projekti Art për Demokraci synon të frymëzoj praktika demokratike duke nxitur qytetarët në pjesëmarrje aktive kundër padrejtësisë dhe korrupsionit, kundër frikës politike dhe mbartjes autoritare në vend. Ky projekt është ndërtuar mbi tre praktika bazë të demokracisë dhe vepron për: pjesëmarrje aktive qytetare në organizimin e strukturës vendore, transparencë institucionale dhe demokraci në veprim. Këto tre praktika marrin formë nëpërmjet Teatrit Legjislativ, përdorimit të Artit Figurativ dhe Video Artit për ndërgjegjësim dhe nxitje të shoqërisë për veprim të qëndrueshëm. Nëpërmjet këtij projekti, Tek Bunkeri beson se do të ndikojë në transformimin e këndvështrimit të vjetër të shtet-bërjes, aktivizimin qytetar, dhe dobësimin e korrupsionit në vend.

(Shënim: Demokraci me pjesëmarrje do të thotë pjesëmarrje aktive e qytetarit në vendimmarrje që kanë të bëjnë me ligjet dhe rregullat të cilat ndikojnë drejtpërsëdrejti në jetën e tij).

Qëllimet

Përgjatë zhvillimit të tij, projekti Art për Demokraci karakterizohet prej filozofisë së mendimit të lirë dhe frymës së demokracisë me pjesëmarrje. Duke marrë formë brenda kësaj filozofie projekti vë në praktikë metodologjinë e mendimit kritik, reflektimit dhe veprimit. Kështu që, Art dhe Demokraci ka për qëllim të arrijë:

  1. Angazhimin e qytetarëve në Teatër Legjislativ për nxitur një demokraci me pjesëmarrje të drejtpërdrejtë në hartimin e buxhetit 2025 në 5 bashki.
  2. Denoncimin e korrupsionit nëpërmjet artit pamor – Artivizëm
  3. Angazhimin e studentëve kundër rasteve të korrupsionit dhe keqpërdorimit të detyrës pedagogjike
  4. Nxitjen e vetëdijes rreth zgjedhjeve qeveritare dhe votës

Aktivitete

Aktivitetet e projektit karakterizohen prej qasjes gjithëpërfshirëse të palëve të interesuara, janë të ndërlidhura me njëra-tjetrën, bëhen burim për të mbledhur të dhëna nga komuniteti, përforcojnë dialogun dhe vendosin në veprim mjetet artistike për të ndikuar në zgjidhjen e problemeve shoqërore dhe politike. Nëpërmjet aktiviteteve të projektit synohet të arrihet kontributi kolektiv në rritjen e angazhimit qytetar, përshkallëzimit të transparencës qeveritare, dhe nxitje të praktikave të demokracisë pjesëmarrëse.

  1. Teatër Legjislativ në 5 Bashki të vendit:

Teatri Legjislativ ka për qëllim të informojë dhe nxis shoqërinë dhe komunitet rreth proceseve të demokracisë me pjesëmarrje nëpërmjet realizimit të shfaqjeve teatrale. Koncepti bazë i teatrit legjislativ qëndron në krijimin e mjedisit të sigurisë për pjesëmarrësit dhe mundësisë për të mësuar dhe diskutuar rreth problemeve sociale dhe politike, gjithashtu edhe gjetjen e zgjidhjeve të nevojshme të cilat duhen vënë në praktikë. Teatri Legjislativ do të përdoret si mjet ku bashkitë bashkë me qytetarët të hartojnë buxhetin e vitit 2025 në 5 bashki të ndryshme në Shqipëri.

  1. Artivizëm:

Arti thyen mekanizmat mbrojtës dhe bëhet kështu mjet i rëndësishëm në transformimin e karakterit njerëzor. Nëpërmjet mbledhjes së informacioneve nga studentët dhe forcës së artit synohet krijimi i një grupi artistësh të cilët ndikojnë me krijimet e tyre në shoqëri. Ky aktivitet do të veprojë si në hapësirën e prekshme fizike ashtu edhe në hapësirën dixhitale. Për të arritur rezultatin më të mirë, artivizmi do të zhvillohet me anë të:

  • 15 diskutimeve të hapura që zhvillohen në Tek Bunkeri, Universitetin e Tiranës dhe në fakultetet e tij.
  • Krijimin e një formulari raportimesh për korrupsion brenda fakulteteve i cili do të plotësohet nga vetë studentët duke ruajtur privatësinë e gjithsecilit.
  • Angazhimin e 15 artistëve të rinj në bashkëpunim me Universitetin e Arteve të Bukura për krijimin e fushatave kundër korrupsionit si në hapësira publike, media sociale, po ashtu edhe në një ekspozitë kolektive.
  • Angazhimin e mendimit kritik nëpërmjet shfaqesh së dokumentarëve, informimit për lëvizje artistike-politike, dhe filmave (artistik) të lidhur me thelbin e projektit.
  1. Video Art:

Ky aktivitet karakterizohet gjithashtu nga artivizmi si një mjet me fuqi ndikuese kundër fenomenit të korrupsionit dhe frikës për votë të lirë qytetare. Tek Bunkeri do të kurojë me kujdes një thirrje për pjesëmarrje në krijimin e 3 video arteve të cilat do të përqendrohen te zgjedhjet e ardhshme të vitit 2025. Video artet duhet të krijohen në bazë të aspekteve të votës së lirë dhe të eksplorojnë elementë të etikës të cilat lidhen me shitjen e votës dhe presionin administrativ. Me pak fjalë, duhet të nxisin praktikën demokracie me pjesëmarrje dhe përgjegjësi qytetare. Video artet do të shfaqen në 15 platforma mediative kombëtare.

 

Me anë të projektit Art për Demokraci, Tek Bunkeri ka për qëllim shpërndarjen e informacionit rreth demokracisë me pjesëmarrje dhe praktikave të saj sa më gjerë në vend dhe brenda hapësirave të mendimit si individual po ashtu edhe kolektiv. Duke qëndruar besnik misionit dhe vlerave të organizatës, për zhvillim të qëndrueshëm të shoqërisë dhe kulturës së vendit, edhe ky projekt do të ndihmojë në kultivimin e karakterit njerëzor përgjegjës dhe bashkëpunues. Për më tepër, Art për Demokraci tregon qartë se si arti dhe kultura vijnë për mbështetje ndaj të kuptuarit të organizimit qytetar, reflektimit brenda vendimeve individuale dhe kolektive, dhe rritjes së aspekteve më të dobishme njerëzore. Gjithashtu, nisur nga detyra dhe dëshira e pastër qytetare dhe aktiviste, Tek Bunkeri synon të nxisë  krijimin e një mendësie e cila respekton të drejtat e njeriut, është bashkë krijuese e politikës dhe qeverisjes së vendit, kultivon kulturën e përgjegjësisë dhe ndërton ekuilibrat midis kaheve të ndryshme ideologjike dhe shumëllojshmërisë njerëzore. Projekti Art për Demokraci ka mundësitë e plota për të nisur nxitjen e një transformimi të mjedisit tonë mendorë dhe fizik.

Projekti Art për Demokraci financohet nga National Endowment for Democracy (NED).

&
Culture Education 2023-03-10
Përdorimi i Teatrit për të Bërë Politik
Ndikimet e Aristotelit në lidhje me teatrin politik Teatri është një nga format më të vjetra në fushën...
Scroll to Top

DONATE NOW

Fill in your details and we’ll get back to you in no time.

contact us

Please fill details below and send us a concise message.