Në kuadër të projektit Kultura për Zhvillim të Qëndrueshëm: Potenciali i Pashfrytëzuar, Tek Bunkeri organizon 5 diskutime rreth ndikimit të regjimit diktatorial ndaj shoqërisë dhe gruas shqiptare. Këto diskutime kanë për qëllim të nxjerrin në sipërfaqe karakterin e regjimit, vështirësitë dhe plagët e kohës së shkuar, trysninë detyruese ndaj shoqërisë dhe zhdukjen e elementëve apo njerëzve që do të ishin pengesë për ngritjen dhe zhvillimin e regjimit diktatorial. Veç të tjerash, tre diskutime përqendrohen rreth figurës, rolit dhe qenies së gruas në shoqëri dhe politikën e së shkuarës sonë.
Duke nxitur 5 diskutime të hapura mendohet të hidhet dritë mbi të shkuarën dhe për rolin e gruas në zhvillimin e shoqërisë. Këto diskutime të hapura përfshijnë publikun (sidomos brezin e ri) brenda procesit të përpunimit të kujtesës kolektive duke prekur gjithashtu aspektin femëror të një shoqërie e cila duhet të lartësoj rolin e gruas në zhvillimin e kulturës dhe politikës shqiptare. Gjithashtu historitë, përpjekjet e njerëzve dhe veprat e lëna pas janë një aspekt krejt i rëndësishëm i trashëgimisë sonë kulturore dhe njohja e tyre është e domosdoshme për zhvillimin e qëndrueshëm shoqëror.
Kështu që, janë menduar 5 diskutime të hapura të cilat zhvillohen rreth një aspekti të vetëm duke krijuar një hapësirë e cila përpunon historinë, shoqërinë, politikën, kulturën, psikologjinë, artin. Pjesëmarrja e të njëjtit person në pesë ditë merr formën e një punëtorie kulturore dhe intelektuale.
12/02/2024 – Reis Çiço Shqipëria 1991/Ora 18:00
“Legjenda thotë se dikur kalaja e Rozafës pikonte qumësht, ndërsa sot dyqanet e qumështit pikojnë varfëri dhe pagjumësi”, kështu nis dokumentari i Reis Çiços për Shqipërinë e viteve 1990-1991.
I ftuar pranë qendrës “Tek Bunkeri” Çiço do të rrëfejë detaje lidhur me realizmin e dokumentarit, imazhi i të cilit është ende i gjallë për shumicen e shqiptarëve.
Ky dokumentar i cili shfaq Tiranën reale të zhveshur nga propoganda e kohës nuk u shfaq kurrë në televizione por po ashtu nuk e pa kurrë dritën e kinemasë, vjen për herë të parë i shfaqur në publik, për të nxitur diskutime.
13/02/2024 – Lisena Gjebrea, Abaz Hoxha dhe Nevila Nika /Ora 18:00
Plumba për dashurinë! Ka qenë ky verdikti i gjyqit partizan të Brigadës së Pestë në ditët e para të marsit ‘44. Në zbatim të tij, një skuadër partizane ekzekutoi me pushkatim Ramize Gjebrenë. Kanë kaluar vite e dekada qysh
atëherë dhe ngjarja e mistershme vazhdon të mbetet enigmë.
Për të folur mbi çështjen e Ramize Gjebresë, pranë organizatës Tek Bunkeri janë të ftuar historianja Prof. Dr Nevila Nika, mbesa e Ramize Gjebreas Lisena Gjebrea dhe dëshmitari okular i pushkatimit Abaz Hoxha.
14/02/2024 – Ergys Mërtiri Dokumentar/Ora 18:00
Revolta e burgut të Spaçit, ishte një kryengritje dy ditore e të burgosurve politikë të burgut të Spaçit, e cila nisi më 21 maj 1973 dhe zgjati deri më 23 maj. Revolta e Spaçit përbën një pikë kulmore në historinë e qëndresës antikomuniste, por edhe të lëvizjes për liri e demokraci. Shkaqet e kësaj revolte ishin kushtet çnjerëzore në të cilat vuanin të burgosurit e burgut, puna e tyre skllavëruese, përdorimi i torturave psikologjike dhe fizike, si edhe gjendja e mjeruar e popullit nën diktaturën komuniste, kundër së cilës ata u ngritën dhe qëndruan heroikisht.
Për të hedhur dritë mbi këtë ngjarje historike do të shfaqet dokumentari “Revolta që Tronditi Diktaturën” realizuar nga Ergys Mertiri, i cili do të jetë i ftuar për bashkëbisedim me shikuesit pas shfaqjes së dokumentarit.
15/02/2024 – Ermir Hoxha Gruaja në Artin Pamor/Ora 18:00
Diskutimi i hapur do të përqendrohet rreth figurës dhe rolit të gruas në artin pamor të viteve 1960 e deri në ditët tona. Në këtë bashkëbisedim të hapur është i ftuar historjani i artit Dr. Ermir Hoxha.
Brenda diskutimit është menduar të përshtjellohen elementët artistik të cilët, dhe si janë, përdorur nga sistemi në funksion të imponimit të ideologjisë në kulturën e popullit shqiptar.
16/02/2024 – Bujar Kapexhiu dhe Kreshnik Merxhani/Ora 18:00
Revista Hosteni u krijua pas luftës së dytë botërore nga Naku Spiro si shtojcë e gazetës Bashkimi, dhe jetoi deri në fillimet e vitit 1992.
Revista Hosteni ishte një sistem i ngritur për t’u marrë me njeri-tjetrin, jo me ata që e qeverisnin këtë vend në ato vite. Megjithatë, edhe pse e krijuar dhe e lëvruar në energjinë më të mirë të propagandës së kohës, Hosteni prapë ia doli të lëvrojë fjalën dhe imazhin brenda limiteve të përcaktuara, duke mos e kaluar cakun, ose kufirin e shtetit. Mbase në Hosten, imazhi ishte më i fortë se fjala.
Për të folur rreth revistes “Hosteni” Tek Bunkeri ka ftuar zotin Bujar Kapexhiu i cili është regjisor, skenarist, karikaturist dhe aktor i mirënjohur shqiptar kryeredaktor i revistës Hosteni, dhe koleksionistin e revistes Kreshnik Merxhani, i cili do të sjellë disa nga revistat e koleksionit të tij pët tu shfletuar nga pjesëmarrësit.
Kultura për Zhvillim të Qëndrueshëm: Potenciali i Pashfrytëzuar realizohet me mbështetjen e programit EU4CULTURE, i financuar nga Bashkimi Evropian nën menaxhimin e UNOPS në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Projekti realizohet nga Tek Bunkeri, Tiranë.