SHPIRTËRIM

Parathënie nga Anna Shkreli

Libri kopertina

Kujtesa dhe Përfaqësimi në Historikun e Kampit të Spaçit

“I live beneath the heartbeat of this crime like peeling an onion to reveal a bruise.”

Vi Khi Nao, Opium

Ky vëllim mbledh tetë shkrime që i qasen kampit të punës së Spaçit nga këndvështrime të ndryshme, duke ndjekur një metodë ndërdisiplinore që vendos në dialog fusha të shumta: historinë politike, që ndriçon mekanizmat e pushtetit dhe represionit, nga Artan Puto dhe Anna Shkreli; ekonominë, që zbulon dimensionin e shfrytëzimit përmes punës së detyruar, nga Alen Bejko; antropologjinë, që shqyrton figurën e “armikut të popullit” dhe pasojat e saj, nga Nebi Bardhoshi; arkivistikën, që e sheh Spaçin edhe përmes boshllëqeve e heshtjeve dokumentare, nga Sokol Çunga; arkitekturën, që merret me dilemën e ruajtjes apo transformimit të vendit si hapësirë përkujtimore, nga Arba Baxhaku; gjuhësinë, që vë në dukje mënyrat se si fjala e fshehtë u bë mjet identiteti dhe rezistence, nga Ledi Shamku-Shkreli; dhe, së fundi, letërsinë, e cila rikrijon përmes trillimit atmosferën dhe përjetimet që shpesh mungojnë në dokumentin historik, nga Antonela Pepkolaj.

Përmbledhja nuk synon të japë një përkufizim të vetëm mbi Spaçin, por të nxisë një proces mendimi dhe reflektimi mbi këtë hapësirë. Secili tekst rrok një objekt të veçantë dhe një stil e metodologji të ndryshme, por të gjitha e trajtojnë Spaçin si një pikëtakim të dhunës politike, përvetësimit të trupit individual dhe kolektiv, ekonomisë shtetërore, kontrollit shoqëror dhe etikës së kujtesës. Këto “pika nervore” nuk qëndrojnë në distancë nga njëra-tjetra; përkundrazi, ndërveprojnë si shtresa që zbulojnë të njëjtën hapësirë nga kënde të ndryshme dhe pse ndonjëherë kontradiktore.

Për shembull, leximi historik i Spaçit si repart i lëvizshëm pune i shfrytëzuar për objektiva industriale, nuk bie ndesh me përshkrimin e tij si një kamp represiv — përkundrazi, e thellon kompleksitetin e makinës bluajtëse të dhunës shtetërore. Spaçi përfaqëson dualitetin karakteristik të kësaj dhune: të dënuarit nuk ishin vetëm armiq ideologjikë, por edhe burim i llogaritur fuqie punëtore për një regjim që ngrinte objekte industriale në emër të popullit, ndërkohë që një pjesë të tij e shfrytëzonte dhe e mbante të nënshtruar. Kjo marrëdhënie midis shtetit, punës së detyruar dhe ideologjisë, e trajtuar në tekstin mbi Repartin 303, gjen rezonancë në analizën antropologjike të mënyrës se si shteti shpiku, prodhoi dhe trashëgoi figurën e armikut. Këto dy qasje, ekonomiko-institucionale dhe antropologjike, të shoqëruara dhe nga analiza strukturës së mekanizmit represiv, vendosen më pas në marrëdhënie me problemin e përfaqësimit, që e tejshkon përmbledhjen si fill i kuq: si mund të rrëfehet Spaçi sot? A kemi mjaftueshëm dokumentacion? A mund të mbrohet kujtesa pa u kthyer në spektakël? A ekziston një mënyrë për të ruajtur autenticitetin e traumës pa e estetizuar, apo neutralizuar, përmes diskursit muzeal? A është kujtesa një set praktikash në kohë? Këto pyetje shfaqen në mënyrë të drejtpërdrejtë në analizat e këtij libri rreth Spaçit.

Pavarësisht stilit dhe gjuhës së ndryshme, të gjithë shkrimet orientohen nga qasja reflektuese kritike, një nevojë e domosdoshme e kohës dhe qëllim kryesor i nismës për të hartuar këtë libër. Me ndërrimin e kohëve, rënia e “mureve” politike nuk u reflektua në mënyrë të menjëhershme dhe në psikën kolektive. Ndaj dhe fill në këtë hapësirë transitore mes represionit drejt lirisë, aty në mes, reflektimi kalon dytësor ndaj komunikimit. Kësisoj, shumë prej prodhimeve kulturore e letrare të kohës së tranzicionit u shkruan për të qenë tepër të drejtpërdrejta dhe imediate.

Ky konstatim është i rëndësishëm për të kuptuar mënyrën se si është ndërtuar diskursi mbi burgun e Spaçit. Gjatë viteve të para pas përfundimit të diktaturës, pjesa më e madhe e shkrimeve dhe dëshmive mbi këtë kamp u prodhuan në një nivel memoiristik. Kjo formë e shkrimit ishte një nevojë e menjëhershme: dëshmia individuale dhe rrëfimi i drejtpërdrejtë përbënin një akt të domosdoshëm shërues, si për individin që e shkruante, ashtu edhe për shoqërinë që e lexonte. Në këtë periudhë, komunikimi i shpejtë dhe i drejtpërdrejtë mbizotëronte ndaj reflektimit, duke pasqyruar një gjendje ku, edhe pse individët ishin liruar tashmë nga struktura e shtetit represiv, hija e tij vazhdonte të rëndonte mbi shprehjen kolektive.

Pas më shumë se tre dekadash, është krijuar një distancë kohore që mundëson një tjetër lloj qasjeje: atë të shkrimit kritik-kontemplativ. Kjo qasje shkon përtej përshkrimit të dhimbjes dhe dëshmisë emocionale, duke hapur rrugë për një analizë më të thelluar. Kështu, teksa rrëfimet e para kishin funksionin e ruajtjes së kujtesës së drejtpërdrejtë dhe të shërimit shoqëror, sot bëhet e domosdoshme një fazë e dytë: ajo e analizës kritike.

Zgjedhja stilistike për të vendosur pranë njëri-tjetrit autorë me formime të ndryshme nuk është rastësi. Stilet e larmishme janë të nevojshme për të sjellë në dritë një realitet të shumëfishtë si Spaçi. Shkenca historike e ka kufizimin e vet: shpesh dokumentacioni është i cunguar, i humbur, i manipuluar apo i mbyllur nga burokracia e kohës. Këto shqetësime përfaqësimi përforcohen nga problemet e dokumentimit të ngritura dhe nga dy prej eseve në libër. Edhe pse tekste të veçanta në këtë vëllim mbështeten në punë kërkimore mbi burime arkivore, qasja ndaj Spaçit si objekt historik përballet me boshllëqe të mëdha dokumentare.  

Në arkiva, Spaçi është i dokumentuar si objekt sigurie, por jo si përvojë njerëzore. Mungesa e të dhënave mbi jetesën e përditshme, mbi vdekjet dhe mbi kushtet në kamp zhvendos gjithë procesin e kujtesës te dëshmitë individuale. Kështu, kujtesa historike ndërtohet jo mbi bazën e autoritetit shtetëror, por përkundër tij. Ndaj pra është menduar që në krye të herës që ky libër të projektohet për t’u mbyllur me një tregim, i cili vjen si memento i rëndësisë së letërsisë në ruajtjen e kujtesës historike. Këtu dëshiroj të hap dhe shtegun e fundit të mendimit, pasi në këtë kuptim, përfshirja e një tregimi fiksional në fund të këtij vëllimi nuk është thjesht një shtesë formale, por një zgjedhje thelbësore editoriale për vetë diskutimin rreth proceseve të kujtesës kolektive.

Si mund t’u referohemi historive të parrëfyera? Atyre që nuk kanë hyrë në “historinë zyrtare”, që nuk mbijetojnë në dokument? Letërsia, përmes imagjinimit, bëhet një mënyrë për të përfytyruar atë që mungon, për të rikrijuar atmosferën dhe përjetimin njerëzor atje ku historia e shkruar nuk arrin. Tregimi i fundit, i bazuar mbi qindra rrëfime të ngjashme, i jep trajtë një përvoje që është njëherësh sa individuale aq edhe kolektive. Ai është një mënyrë për të kujtuar duke imagjinuar. Kështu, vëllimi nuk mbyllet me një “përfundim”, por me një hapje: duke e lënë kujtimin si proces, të papërfunduar, të aftë të prodhojë ende hapësira të reja.

Të ndalesh te kujtesa, duke e përdorur si emër do të thotë të mbyllësh një proces, ta bësh të duket i përfunduar. Të mendosh ama për të kujtuarin si folje, si një veprim që ndodh, që vazhdon, është ta shohësh kujtesën si një akt që na përfshin sot e përgjithmonë. Të kujtuarit nuk është vetëm rikthim i së kaluarës, por edhe njohje e potencialit të ndryshimit. Borges na kujton se “mes kujtesës dhe procesit të kujtimit, çelet një hapësirë shoqërore, me praktika të vetat dhe procese të tëra.” Të kujtosh, do të thotë të hysh në atë hapësirë shoqërore dhe ta transformosh. Ndaj do të thotë gjithashtu të imagjinosh.

Nëse kujtimi është një mënyrë për të dhënë llogari për historinë, atëherë vetë historia është në lëvizje të vazhdueshme, në mutacion të pandërprerë. Ky libër, me stilet e tij të ndryshme dëshmon se të kujtuarit nuk është një arkiv i ngrirë, por një proces i hapur që krijon hapësira të reja dialogu, dhe ashtu projektohet drejt së ardhmes.

Pyetja rreth zërave të munguar në rrëfimin e historisë rikthehet pra: Kush tregon? Si në rastin e arkivave ashtu dhe në atë të muzealizimit fizik, ndonëse palët e “heshtura” janë të kundërtat, në dukje kontradiktore, sërish shqetësimi i ngritur konvergjon. A mund të jetë kjo ‘histori e ritreguar’ plotësisht përfaqësuese?

Ky botim është realizuar në kuadër të projektit SHPIRTËRIM, mbështetur nga programi EU4Culture, dhe përpiqet të shtojë një gur në themelet e kulturës së kujtesës, duke u ofruar lexuesve jo një të vërtetë të mbyllur, por një mozaik reflektimesh që i afrohen së shkuarës nga kënde të ndryshme.

Scroll to Top

DONATE NOW

Fill in your details and we’ll get back to you in no time.

contact us

Please fill details below and send us a concise message.